COVID-19 në të dhëna të detajuara

Open Data Kosovo
3 min readApr 28, 2020

Pandemia e shkaktuar nga përhapja në të gjithë botën e virusit korona dhe sëmundjes që shkakton, COVID-19, vazhdon ta mbajë Kosovën dhe botën të ngujuar, pavarësisht që një numër i vendeve, duke përfshirë Italinë dhe Francën, tashmë kanë paralajmëruar lehtësim të masave shtrënguese të kufizimit të lëvizjes dhe aktiviteteve pas uljes së niveleve të të infektuarve dhe të vdekjeve nga infektimi.

Open Data Kosovo ka dizajnuar një platformë të veçantë me të dhëna të detajuara të të gjitha rasteve të rezultuara pozitive me COVID-19 në Kosovë, duke marrë për bazë të dhënat e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike dhe Gazetës Shneta.

Ferizaj, Malisheva, Peja dhe Prishtina janë qytetet që vazhdojnë të prijnë në listën e vendeve me numrin më të madh të të infektuarve, ndërkohë që Vitia, Prizreni e Mitrovica e Veriut hyjnë në kategorinë e dytë të rajoneve sipas numrit të të infektuarve.

Deri më 27 prill, në Kosovë janë regjistruar 780 raste me të infektuar, 201 raste të pacientëve që janë shëruar dhe 22 viktima.

Sipas të dhënave të ODK-së, nga personat e infektuar rezulton që një numër shumë më i madh të jenë të gjinisë mashkullore, statistikë që ndërlidhet me faktin që personat e gjinisë mashkullore kanë më shumë gjasë që të jenë të predispozuar ndaj infeksionit për arsye të ndryshme; një prej tyre mund të jetë fakti që një numër i madh i grave në Kosovë nuk janë të kyçura në tregun e punës.

Prishtina, Peja, Prizreni, Klina, Vitia, Malisheva, Fshati Janjevë në Lipjan, Shtimja, Fshati Dumnicë në Podujevë, fshati Bibaj në Ferizaj dhe fshati Korishë në Prizren janë vendet që i janë nënshtruar masave të qeverisë për karantimin.

Qeveria e Kosovës ka paralajmëruar që 4 maji do të jetë data kur masat e kufizimit të lëvizjes do të lehtësohen, por kthimi në normalitet duket ende larg dhe masat do të vijojnë së larguari në mënyrë graduale.

Kryetari i komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, pesë ditë më parë kishte paralajmëruar që kryeqyteti tashmë ishte i gatshëm të dalë nga karantina, pas një serie masash dhe përgatitjesh strikte që i sollën kryeqytetit gjendje më të mirë në raport me pandeminë se sa disa fshatra me numër banorësh dhe territor pakrahasimisht më të vogël.

27 prilli ishte një ndër pak ditët kur Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike bëri të ditur që numri i të identifikuarve me infeksion brenda një dite ishte më i ulët se numri i personave të shëruar.

Praktikat nga vendet e Evropës tregojnë që njerëzit do të jenë të detyruar të përshtaten së jetuari në një mënyrë të re, ndërkohë që zbulimi dhe futja në përdorim të gjerë të vaksinës do të ishte masa më efektive ndaj pandemisë.

Numri i përgjithshëm i viktimave tashmë ka kapërcyer numrin 200 mijë, ndërkohë që numri i të infektuarve ku përfshihen edhe të shëruarit ka kaluar shifrën tre milionë në të gjithë botën.

Ky artikull u publikua në kuadër të projektit Techstitution 3.0

*Techstitution 3.0 është projekt i financuar nga Programi UNICEF për Kosovë dhe Agjencia Austriake për Zhvillim dhe u zbatua nga Open Data Kosovo.

--

--

Open Data Kosovo
Open Data Kosovo

Written by Open Data Kosovo

A team of #CivicTech enthusiasts coding for a better tomorrow! www.opendatakosovo.org

No responses yet