Open Data Kosovo
3 min readMar 13, 2024

Për një Kuvend me transparentë, me pjesëmarrje elektronike (e-pjesëmarrje), formate të hapura dhe buxhet të qytetarëve.

Fjala kuvend (parlament) nuk ka kuptim pa fjalën qytetar. Prandaj, një kuvend funksional është ai që është në kontakt të vazhdueshëm me qytetarët. Kuvendi është ai i cili siguron që perspektivat e grave dhe burrave, të të rinjve, të pakicave dhe grupeve më të cenuara, të ekspertëve dhe të palëve të interesit, e kështu me radhë, të pasqyrohen në punën e tij. Kuvendi i hapur dhe transparent është një tregues thelbësor i një shteti demokratik, prandaj sigurimi i besimit të publikut dhe pjesëmarrjes qytetare është roli dhe përgjegjësia e tij jetike.

Open Data Kosova monitoron dhe vlerëson rregullisht punën e qeverisjes së hapur në Kosovë përmes një metodologjie të bazuar në katër parime udhëzuese. Parimet në fjalë, transparenca, qasja, integriteti dhe ndërgjegjësimi, përbëjnë bazën për vlerësimin e të dhënave me burim nga Indeksi i të Hapurit Rajonal, një mjet që mat shkallën në të cilën institucionet e Ballkanit Perëndimor janë të hapura ndaj qytetarëve dhe shoqërisë.

Një kuvend është ‘transparent’ nëse të dhënat e tij organizative, buxhetet dhe proceset e prokurimit publik janë të qasshme nga publiku. Ai është i ‘qasshëm’ nëse politikat e tij janë të vendosura mirë, përmirësohen sistematikisht në aspektin e qasjes përmes diskutimeve publike dhe promovimit të angazhimit të qytetarëve. Ai ka ‘integritet’ për sa i përket lobimit, kodit të etikës dhe përpjekjeve për të luftuar korrupsionin. Dhe në fund, kuvendi është ‘i vetëdijshëm’ nëse përqendrohet në përcjelljen dhe vlerësimin e politikave të zbatuara nga institucionet.

Sipas Open Data Kosovo, Kuvendi i Republikës së Kosovës në përgjithësi i pasqyron të gjitha parimet e përmendura më lart. Ai demonstron përpjekjet kumulative të bëra ndër vite, dhe kryeson listën si institucioni më i hapur në Kosovë për shkak të shpërndarjes së rregullt të detajeve rreth vendimeve dhe aktiviteteve. Faqja e internetit e Kuvendit azhurnohet vazhdimisht, agjendat e tij publikohen paraprakisht dhe ofron qasje në të gjitha ligjet, ndryshimet, projektligjet, rregullat, strategjitë dhe raportet e punës.

Publiku i Kosovës në përgjithësi është i informuar mirë për atë që po ndodh në seancat e kuvendit pasi ato transmetohen rregullisht. Angazhimi i Kuvendit vërtetohet me miratimin e disa dokumenteve kyçe që lidhen me llogaridhënien dhe transparencën, Rregulloren e Kuvendit, Rregulloren për rendin dhe qasjen e mediave dhe publikut në punën e kuvendit, si dhe Strategjinë për marrëdhënie ndërkombëtare dhe diplomacinë parlamentare, e cila përqendrohet në përmirësimin e marrëdhënieve diplomatike të Kosovës përmes kanaleve parlamentare.

Megjithatë, ende ka aspekte që mungojnë sa i përket të hapurit të Kuvendit dhe ato duhet të merren parasysh për të bëre përmirësime të mëtejshme. Një çështje thelbësore mbetet çështja e formateve të mbyllura, versioni PDF, të cilat paraqesin vështirësi në qasjen dhe shfrytëzimin e informacionit. Jo vetëm që formatet e mbyllura paraqesin sfida për qytetarët, studiuesit dhe organizatat e shoqërisë civile të cilat synojnë shfrytëzimin e të dhënave për qëllime të ndryshme, por ato pengojnë edhe palët e interesit në nxjerrjen dhe shfrytëzimin me efikasitet të informacionit. Lajm i mirë është se publikimi i dokumenteve në formate të hapura është pjesë e Planit të Veprimit të Asamblesë së Hapur dhe synon të sigurojë dhe të promovojë formatin e hapur si një nga praktikat më të mira të transparencës.

Një kufizim tjetër që aktualisht pengon hapjen e Kuvendit janë peticionet elektronike. Në vitin e kaluar Kuvendi ka shqyrtuar gjithsej 28 peticione të dorëzuara në formë fizike. Kjo është një shenjë se peticioni po përdoret si mjet i qytetarëve për t’u dëgjuar për çështje që kanë rëndësi për ta dhe jetën e tyre. Prandaj, pjesëmarrja elektronike është në rrugë e sipër. Bashkëpunimi mes ODK-së dhe Kuvendit të Kosovës, si mjet digjital është një angazhim i mëtutjeshëm në avancimin e punës së Kuvendit. Si mjet dhe formë më efektive e komunikimit dhe mobilizimit brenda grupeve të ndryshme të qytetarëve dhe palëve të interesit, kjo mbetet një fushë premtuese dhe miratimi i paraparë i Ligjit për Peticione është një hap vendimtar drejt zbatimit të këtij aspekti të përmirësimit institucional.

Open Data Kosovo
Open Data Kosovo

Written by Open Data Kosovo

A team of #CivicTech enthusiasts coding for a better tomorrow! www.opendatakosovo.org

No responses yet