Kosova drejt Planit të ri Nacional të Veprimit për OGP

Open Data Kosovo
5 min readApr 29, 2022

--

Autore: Shqipe Gjocaj

Komiteti Nacional Koordinues i Kosovës për Partneritet për Qeverisje të Hapur (OGP), i përbërë nga përfaqësues qeveritarë dhe joqeveritar, duke përfshirë OSHC-të, mediat, sektorin privat, dhe qytetarët e interesuar, janë mbledhur në një proces bashkë-krijimi për të diskutuar rreth hartimit të Planit të ri Nacional të Veprimit për OGP të Kosovës, duke ofruar mendime dhe rekomandime. Ndërtimi i besimit në institucione dhe përfshirja e qytetarëve në shkallë më të lartë janë theksuar si thelbësore.

Në pesë vitet e fundit, Kosova ka bërë përmirësime të konsiderueshme drejt digjitalizimit të shërbimeve dhe hapjes së të dhënave. Ajo ka ofruar një numër të konsiderueshëm të e-platformave dhe zgjidhjeve digjitale, ka ngritur një bazë të fortë ligjore për lirinë e informacionit dhe qasjen në dokumentet publike, dhe renditet ndër 50 vendet me shkallën më të lartë të depërtimit të internetit dhe mundësive digjitale, si dhe me një shkallë të lartë të posedimit të telefonave të mençur. Për më tepër, Kosova është një nga të vendet e paketa që shpalos plotësisht pronat, pasuritë, të ardhurat dhe borxhet e rreth 5000 zyrtarëve publikë të vendit, gjë që u konsiderua si arritje.

Megjithatë, palët kryesore të interesit të përfshira në procesin e bashkëkrijimit të Planit të ri Nacional të Veprimit 2022–2024 të Partneritetit për Qeverisje të Hapur, si ato qeveritare ashtu edhe ato joqeveritare, janë të vetëdijshme për boshllëqet dhe nevojat e mëtejshme për të bërë progres në nivel të brendshëm. Angazhimi i saj për të luftuar korrupsionin dhe për të ndërtuar një kulturë që kërkon transparencë, llogaridhënie dhe shërbime efektive dhe zgjidhje, do të ri-konfirmohet edhe më shumë kur Kosova të sigurojë anëtarësim në Partneritetin për Qeverisjes të Hapur (OGP).

Kosova aktualisht është në proces të hartimit të Planit Nacional të Veprimit 2022–2024 të Partneritetit për Qeverisje të Hapur. Duke u fokusuar në katër prioritete: luftimi i korrupsionit, qeverisja digjitale, të dhënat e hapura dhe pjesëmarrja e qytetarëve në vendimmarrje, zyrtarët e pushtetit qendror dhe vendor, organizatat e shoqërisë civile, përfaqësuesit e mediave dhe qytetarët e interesuar janë bashkuar në një proces bashkëkrijimi për të dhënë kontributin e tyre në lidhje me përmbajtjen dhe metodologjinë e Planit Nacional të Veprimit për OGP.

Konsultimet publike, takimet dhe seminare udhëhequr nga Komiteti Koordinues Nacional për OGP rezultuan në një diskutime të shumta në mes të pjesëmarrësve. Kjo po ashtu u pasua nga rekomandimet që ndihmojnë në adresimin e çështjeve kyçe në katër fushat me prioritet të Planit të ri Nacional të Veprimit për OGP. Aktivitetet në fjalë, ndër të tjera, kanë dëshmuar nevojën për forcimin e kapaciteteve të stafit në institucioneve publike, përmirësimin e zgjidhjeve ekzistuese digjitale dhe qasjes në publikimin e të dhënave, intensifikimin e luftës kundër korrupsionit dhe rritjen e pjesëmarrjes së qytetarëve në vendimmarrje.

Një moment i rëndësishëm i punës së Komisionit gjatë këtyre dy muajve të fundit ka të bëjë me qëndrimet ndaj përpjekjeve për të luftuar korrupsionin. Zërat kritikë brenda Komisionit i konsiderojnë arritjet e deritanishme në luftën kundër korrupsionit si të pamjaftueshme. Kjo është një nga fushat që kërkon përpjekje sistematike dhe strategjike në nivel institucional dhe kulturor. Anëtarët e OGP-së luftojnë korrupsionin duke ndërmarrë reforma në transparencë, mbikëqyrje publike dhe llogaridhënie publike. Prandaj, anëtarësimi i Kosovës në OGP paraqet një mundësi të rëndësishme për të rritur përpjekjet në luftimin e këtij fenomeni.

Një tjetër aspekt i vlefshëm i konsultimeve publike që u zhvilluan në rajone të ndryshme të vendit ishte fokusi në qeverisjen vendore dhe duke angazhuar zyrtarët e qeverisjes vendore si dhe këshillat lokale (organet joformale vendimmarrëse) në shtjellimin e çështjeve kyçe që prekin njerëzit në zonat e largëta. Për shembull, ndërsa digjitalizimi i marrjes së certifikatave përmes kioskave është vlerësuar shumë si zgjidhje digjitale, përfaqësues të ndryshëm nga niveli lokal theksuan nevojën që këto kioska elektronike të shtrihen në disa zona më të largëta.

Pjesëmarrësit gjithashtu ju rekomanduan institucioneve që të zhvillojnë një sistem të përbashkët të gjenerimit të të dhënave për rastet sociale në nivel komunal pasi disa institucione kanë lista që nuk përputhen me njëra-tjetrën, dhe të zhvillohet një sistem online me të dhëna për fëmijët me aftësi të kufizuara dhe shërbimet që duhet të marrin ata. U pretendua se sisteme të tilla online do të ndihmonin ndjeshëm në planifikimin financiar dhe blerjen e shërbimeve ose mbështetjes për organizatave që punojnë dhe u ofrojnë atyre shërbime të licencuara.

Pjesëmarrja e qytetarëve si një nga vlerat thelbësore dhe një nga prioritetet kryesore të Planit të ri të Veprimit për OGP u potencua në procesin e bashkë-krijimit. Prandaj, u rekomandua që informimi për debatet publike dhe pjesëmarrja e qytetarëve në vendimmarrje duhet të jetë më aktive përmes kanaleve të ndryshme, duke filluar nga mediat lokale, faqja e komunës dhe rrjetet sociale, e deri te transmetimi i drejtpërdrejtë në rrjetet sociale në mënyrë që qytetarët të informohen për atë që diskutohet dhe të ngritin çështje të ndryshme.

Pjesëmarrja e grave është thelbësore dhe duhet të merret parasysh nga çdo përfaqësues, pavarësisht se cilit sektor i përkasin. Pjesëmarrja e vogël e grave në vendimmarrje — qoftë në dëgjimet publike për buxhetin dhe takimet e tjera që komuna i mban me qytetarët, është shenjë e mungesës së konsideratës për gjithëpërfshirjen dhe statusin e gruas si qytetare aktive. Pa gratë, thirrjet për vlera demokratike, barazi dhe pjesëmarrje qytetare, nuk kanë kuptim të plotë. Parimi i gjithëpërfshirjes vlen për grupet dhe komunitetet joshumicë. Komiteti theksoi sfidat me të cilat përballen shumë gra dhe burra nga pakicat etnike të margjinalizuara në Kosovë (romët, egjiptianët dhe ashkalitë).

Duke synuar pjesëmarrjen dhe gjithëpërfshirjen aktive të qytetarëve, zërat pluralistë të qytetarëve do të dëgjohen. E që është më e rëndësishmja, duke dëgjuar qytetarët dhe duke i përfshirë ata në dëgjimet dhe konsultimet publike, institucionet dhe organizatat do të jenë në gjendje të gjejnë sisteme të dhënash dhe zgjidhje për t’iu përgjigjur nevojave të grupeve të ndryshme shoqërore.

Së bashku me kriteret e tjera për anëtarësim të cilat Kosova po i përmbush, Plani i Veprimit për OGP do të jetë një mjet i fortë në materializimin e parimeve dhe objektivave në nivel nacional dhe lokal. Duke ndjekur modelin estonez në transformimin e saj digjital, i cili është ndërtuar përmes ngritjes së besimit të ndërsjellë ndërmjet qeverisë dhe qytetarëve, Kosova ka një punë të rëndësishme dhe sfiduese në zhvillimin e mëtejshëm dhe mbajtjen e lidhjeve të fuqishme me palët e interesit nga sektorë të ndryshëm ku merren parasysh këndvështrime të ndryshme. Bashkëpunimi i ngushtë dhe besimi si parime kryesore do t’i bëjnë njerëzit të besojnë se digjitalizimi do të sjellë ndryshime sistematike nga të cilat do të përfitojnë të gjithë.

* 𝐾𝑦 𝑎𝑟𝑡𝑖𝑘𝑢𝑙𝑙 𝑒̈𝑠ℎ𝑡𝑒̈ 𝑝𝑢𝑏𝑙𝑖𝑘𝑢𝑎𝑟 𝑛𝑔𝑎 𝑂𝑝𝑒𝑛 𝐷𝑎𝑡𝑎 𝐾𝑜𝑠𝑜𝑣𝑜 𝑛𝑒̈ 𝑘𝑢𝑎𝑑𝑒̈𝑟 𝑡𝑒̈ 𝑝𝑟𝑜𝑗𝑒𝑘𝑡𝑖𝑡 “𝐼𝑛𝑖𝑐𝑖𝑎𝑡𝑖𝑣𝑎 𝑝𝑒̈𝑟 𝑄𝑒𝑣𝑒𝑟𝑖𝑠𝑗𝑒 𝑡𝑒̈ 𝐻𝑎𝑝𝑢𝑟 𝑑ℎ𝑒 𝑡𝑒̈ 𝑀𝑖𝑟𝑒̈” 𝑡𝑒̈ 𝑓𝑖𝑛𝑎𝑛𝑐𝑢𝑎𝑟 𝑛𝑔𝑎 𝑝𝑟𝑜𝑔𝑟𝑎𝑚𝑖 𝑀𝐴𝑇𝑅𝐴 2020 𝑛𝑒̈ 𝐴𝑚𝑏𝑎𝑠𝑎𝑑𝑒̈𝑛 𝑒 𝐻𝑜𝑙𝑎𝑛𝑑𝑒̈𝑠 𝑛𝑒̈ 𝐾𝑜𝑠𝑜𝑣𝑒̈. 𝐾𝑦 𝑎𝑟𝑡𝑖𝑘𝑢𝑙𝑙 𝑒̈𝑠ℎ𝑡𝑒̈ 𝑝𝑒̈𝑟𝑔𝑗𝑒𝑔𝑗𝑒̈𝑠𝑖 𝑒 𝑂𝑝𝑒𝑛 𝐷𝑎𝑡𝑎 𝐾𝑜𝑠𝑜𝑣𝑜 𝑑ℎ𝑒 𝑛𝑢𝑘 𝑟𝑒𝑓𝑙𝑒𝑘𝑡𝑜𝑛 𝑝𝑖𝑘𝑒̈𝑝𝑎𝑚𝑗𝑒𝑡 𝑒 𝐴𝑚𝑏𝑎𝑠𝑎𝑑𝑒̈𝑠 𝑠𝑒̈ 𝐻𝑜𝑙𝑎𝑛𝑑𝑒̈𝑠.

--

--

Open Data Kosovo
Open Data Kosovo

Written by Open Data Kosovo

A team of #CivicTech enthusiasts coding for a better tomorrow! www.opendatakosovo.org

No responses yet