Mungesa e Pajisjeve Digjitale Pamundëson Edukimin e të Vegjëlve

Open Data Kosovo
3 min readJun 1, 2021

--

Sërish karantinë, sërish fëmijët e prindërit kaluan nëpër sfidat e mësimit online. Kjo pasi që me 5 prill të këtij viti, Qeveria e Kosovës vendosi sërish për një karantinim të dytë të vendit, si mbrojtje ndaj përhapjes së pandemisë Covid — 19. Me vendimin e autoriteteve kosovare mes tjerash u vendos që të gjitha institucionet arsimore në vend të kalojnë sërish në sistemin online, ndonëse një vendim i tillë zgjati vetëm për disa javë. Por jo çdo fëmijë mund të ndjek mësimin në këtë formë, si pasojë e mungesës së pajisjeve digjitale.

Bazuar në të dhënat e Ministrisë së Arsimit të Kosovës, në vitin që lamë pas mbi 32 mijë nxënës nuk kanë mundur ta vijojnë mësimin në distancë.

Për të adresuar mungesën e pajisjeve digjitale, Antigona Uka, së bashku me UNICEF dhe Austrian Development Agency, krijuan platformën “Connect-ed Kosova Tracking System”, e cila mision kryesor ka krijimin e kushteve digjitale me qëllim të sigurimit të edukimit të secilit fëmijë, si një e drejtë fundamentale për secilin.

Deri më sot, përmes kësaj platforme janë identifikuar 6 mijë e 954 raste të fëmijëve që nuk posedojnë pajisje digjitale. Me ndihmën e këtij sistemi gjurmues, janë mbledhur tashmë 19 pajisje me ndihmën e donatorëve për fëmijët në nevojë, dhe 10 asete veçse janë shpërndarë. Connect-ed KosovaThe Tracking System, platformë e cila është zhvilluar si pjesë e projektit “Techstitution 4.0”, ofron mundësinë për gjithë personat që dëshirojnë të bëhen vullnetarë në këtë kauzë çoftë duke ndihmuar me mbledhjen e pajisjeve për fëmijët, apo duke i dhuruar vet ato.

Antigona Uka, drejtoresha e organizatës ideatore për projektin e sistemin gjurmues, KCDE, tregon se ideja për sistemin e gjurmimit ka lindur si pasojë e nevojës së madhe të fëmijëve kosovar për pajisje digjitale. “Idenë për Connect-ed Kosova Tracking System (Sistemin e Gjurmimit) e kam adaptuar nga programi Connect-ed, program ky i cili ka filluar në Kazakhszan nga një kolege e imja. Connect-Ed është krijuar nga akterë të arsimit, me qëllim të mbylljes digjitale në mes fëmijëve shkollor, përmes mbledhjes dhe dhurimit të pajisjeve. Mirëpo, gjatë mbledhjes dhe shpërndarjes së këtyre pajisjeve, unë dhe ekipi im e kemi parë të nevojshme të krijojmë një sistem i cili i gjurmon dhe regjistron rastet e identifikuara që kanë nevojë për pajisje për mbarëvajtjen e mësimit”, shpjegon ajo.

Të dhënat e platformës që ka për qëllim kryesor rikthimin e secilit fëmijë në shkollë, përmes sigurimit të pajisjeve digjitale, tregojnë se aktualisht numri më i lartë i fëmijëve që nuk kanë këto mjete është në kryeqytet, në Prishtinë, ku janë identifikuar 1549 raste, për të pasuar pastaj me Vushtrrinë me 973 raste, si dhe Gjakovën ku janë identifikuar 918 raste. Në ndërkohë numër i konsiderueshëm i fëmijëve në nevojë është evidentuar edhe në Komunën e Gjilanit me 657 raste, në Mitrovicë 554 raste, si dhe në qytetin e Pejës janë identifikuar 395 raste.

Duke bërë thirrje për participim në projekt, Uka thotë se pjesëmarrja e qytetarëve është tejet e nevojshme për krijimin e një qytetarie aktive.

Të dhurosh pajisje për fëmijët me qëllim që ata t’i rikthehen mësimit, sipas Ukës nënkupton sigurimin e ndjenjës së përkatësisë në mesin e fëmijëve të tjerë. “Kam përcjell pothuajse çdo pranim të pajisjeve, dhe ndjenja që ajo eksperiencë të dhuron është tejet përmbushëse. Në sytë e fëmijëve e kupton që pajisja me mjete digjitale për më tepër është edhe ndjenjë e përkatësisë, sidomos për fëmijët të cilët kanë qenë përfitues tanë. Këta fëmijë e kuptojnë që është e drejtë e tyre të jenë të pajisur me këto mjete herët a vonë, njëjtë sikur gjithë fëmijët e tjerë” , është shprehur ajo.

E teksa në sytë e tij dukej se jeta e tij ndryshoi në atë çast, njëri nga fëmijët përfitues të një laptopi tha se “Duhet të bëhemi të mirë e të durueshëm, sepse në fund shpërblimi do të jetë i madh për ata që presin”.

Deri më tani në projekt janë përfshirë mbi 20 vullnetarë, kurse platforma mbetet e hapur për secilin që dëshiron të kontribuojë në sigurimin e pajisjeve për fëmijët në nevojë.

Autore: Arlinda Kqiku

*Ky artikull u publikua në kuadër të projektit Techstitution 4.0 që është projekt i financuar nga Programi UNICEF për Kosovë dhe Agjencia Austriake për Zhvillim dhe u zbatua nga Open Data Kosovo.

--

--

Open Data Kosovo
Open Data Kosovo

Written by Open Data Kosovo

A team of #CivicTech enthusiasts coding for a better tomorrow! www.opendatakosovo.org

No responses yet