Rreth qeverisjes së hapur të MASHT

Open Data Kosovo
4 min readApr 19, 2023

--

Nga: Shqipe Gjocaj

Arsimi, shkenca, teknologjia, dhe inovacioni janë ndër fushat ku të dhënat e hapura janë esenciale në mënyrë që dituria të promovohet jo vetëm si e mirë publike por edhe si interes publik. Në mënyrë që kjo të arrihet kërkohet transparencë organizative dhe institucionale nga institucionet relevante, informacion lehtë i qasshëm, shërbime të mirëfillta digjitale, si dhe mjete të përshtatshme komunikative me qytetarë/e, ekspertë/e, media, apo palë të tjera.

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHT) ekziston për të zhvilluar dhe avancuar arsimin, hulumtimet shkencore, nxitjen e inovacionit dhe zhvillimit teknologjik. Sa është e hapur Ministria ndaj publikut e kuptojmë nga vlerësimi periodik dhe i detajuar i Open Data Kosovo (ODK) për qeverisjen e hapur të institucioneve të vendit.

Për vitin 2021, ODK e vlerëson MASHT-in me rezultat të përgjithshëm 64%. Për të ardhur në këtë vlerësim të përgjithshëm ODK është nisur nga katër parimet e Indeksit Rajonal të Qeverisjes së Hapur si transparenca, qasja, integriteti dhe ndërgjegjësimi. Parimet në fjalë vlerësojnë punën dhe vullnetin politik drejt hapjes së të dhënave dhe qeverisjes transparente.

ODK vlerëson se një bazë e mirë për hapje të Ministrisë ndaj publikut ekziston. Uebfaqja zyrtare e MASHT përditësohet vazhdimisht me komunikata për shtyp, dokumente, raporte dhe strategji zyrtare. Të dhënat në fjalë ofrohen në dy gjuhë zyrtare të vendit dhe kontaktet e zyrtarëve përgjegjës për komunikim me publikun janë të disponueshme.

Megjithatë, ka mungesë informacioni dhe qasje në çështje të tjera pa të cilat vështirë se mund të flitet për qeverisje të hapur të Ministrisë në fjalë. Për shembull, transparenca buxhetore si një ndër indikatorët kyq të transparencës së mirëfilltë, nuk reflekton në uebfaqe të ministrisë. Po ashtu, mungojnë të dhënat rreth prokurimit publik sikurse kërkesat e hapura për oferta, vendimet dhe kontratat, dhe të dhëna të tjera me rëndësi.

Qasja në informacion ua mundëson qytetarëve, studiusëve, nxënësëve, OSHC-ve, medieve, dhe akterëve të tjerë që të marrin pjesë në veprimtarinë e një institucioni. Ligji për Qasje në Dokumente Publike obligon institucionet që të caktojnë një person që do t’i shqyrtoj në mënyrë rutinore kërkesat e pranuara nga publiku dhe të krijoj një adresë elektronike zyrtare që përdoret vetëm për komunikim me publikun.

Përderisa ky obligim ligjor zbatohet, në raportim vjetor arsyet pse kërkesa të caktuara janë refuzuar apo mbetur pa përgjigje reflekton mangët. Kjo ndodhë për shkak se ministrisë i mungon një mekanizëm trajnues ose udhëzues për shërbyesit civilë që t’i vlerësojnë materialet dhe t’i kryejnë obligimet e tyre përkatëse sipas Aktit për Lirinë e Informacionit.

E krijuar nga Zyra për Qeverisje të Mirë në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, Platforma e Konsultimeve Publike shërben për publikimin online të të gjitha dokumenteve të nevojshme për konsultim nga ministritë për çështje të caktuara. Në të njëjtën platformë publikohen edhe raportet mbi konsultimet.

Por MASHT-it i mungon një procedurë përmes së cilës qytetarët dhe palët e interesuara do të mund t’i kundërshtonin vendimet e marra apo të marrin sqarime rreth tyre. Ky mjet do t’ia mundësonte publikut pjesëmarrje aktive në vendimmarrje dhe do të përforconte cilësinë e llogaridhënies institucionale brenda MASHT.

Sa i përket cilësisë së llogaridhënies, MASHT duhet të ofroj informacion dhe mjete konkrete për të dëshmuar se është institucion me integritet. Një prej tyre është publikimi i politikës së brendshme kundër korrupsionit dhe masat për parandalimin e formave të ndryshme të korrupsionit dhe sjelljes joetike brenda institucionit. Për më shumë, Ministria duhet të publikoj programin vjetor të punës, të ofroj informata rreth personit, përfshi emrat, pozicionet, rezumetë, fushëveprimin e punës në institucion.

Për momentin, besimi qytetar në MASHT është ‘deri diku’ i kënaqshëm. Kjo është vlerësuar me një ankete nga ODK në bashkëpunim me UBO Consulting për punën e MASHT. E njëjta anketë vë në pah që vetëm një grup i vogël i njerëzve besojnë se mund të kontribuojnë në punën e MASHT. Kjo dëshmon që Ministria duhet të punoj më shumë sa i përket komunikimit me qytetarë/e, të mendoj për mjete efektive komunikimi sepse besimi qytetar në institucione dhe pjesëmarrja e tyre në vendimarrje janë tregues të rëndësishëm jo vetëm të kulturës qeverisëse në vend por edhe të demokracisë funksionale.

Duke e marrë parasysh që si institucion MASHT mundëson dhe promovon zhvillimin e arsimit, shkencës, teknologjisë dhe inovacionit si dhe është përgjegjëse për zhvillimin e një plani gjithëpërfshirës dhe jodiskriminues për avancimin e fushave në fjalë, ka përgjegjësi dhe ende shumë punë për të bërë për të siguruar qeverisje të hapur dhe llogaridhënëse.

Qeverisja e hapur në MASHT arrihet me transparencë të përmirësuar në fushën e prokurimit, me publikim të të dhënave të personelit dhe ekspertizës së tyre, me publikim të pagave të zyrtarëve publik, të raportit vjetor të punës, e deri tek përmirësimi i komunikimit me qytetarë. Për këtë të fundit, Ministria duhet të ofroj hapësirë dhe mjete, si për shembull një formular në faqen zyrtare të MASHT ku qytetarët të mund të shprehen, të kundërshtojë vendime të caktuara, apo të ankohen për çështje specifike.

Ky artikull është pjesë e projektit “Boost Good Governance 3.0” i mbështetur nga National Endowment for Democracy dhe i zbatuar nga Open Data Kosovo. Përmbajtja e materialit është përgjegjësi e vetme e Open Data Kosovo.

--

--

Open Data Kosovo
Open Data Kosovo

Written by Open Data Kosovo

A team of #CivicTech enthusiasts coding for a better tomorrow! www.opendatakosovo.org

No responses yet