Të rinjtë me të ardhme në teknologji, por përkrahja nga institucionet e ulët
Zhvillimi i madh i sektorit të teknologjisë në Kosovë e ka shëndrruar punën me kompjuter të lidhur me internet në një oazë me perspektivë të pafundme për shtresën e njerëzve që kanë qenë më tepër të ndikuar dhe kanë përfituar më shumë nga teknologjia.
Një thënie që përsëritet shpesh herë në bisedat e zakonshme për problemet ditore thotë që në Kosovë bëhet mirë aty ku nuk ka dorë Qeveria.
Nëse analizojmë atë që ka ndodhur në sektorin e teknologjisë informative në Kosovë viteve të fundit, kjo thënie merr kuptim dhe saktësi të pamohueshme. Pa ndonjë përkrahje me substancë të institucioneve, në përgjithësi pjesëtarët e rinisë kosovare kanë arritur të krijojnë një komunitet energjik të zhvillimit dhe përparimit teknologjik.
Krahas kompanive që janë të krijuara dhe operojnë brenda vendit, një pjesë të madhe të qarkullimit në projekte të teknologjisë e zënë bashkëpunimet me kompanitë nga jashtë vendit që janë në kërkim të forcës punëtorë më të lirë dhe delegojnë punët për kompanitë apo individët në Kosovë, në një proces që në gjuhën teknologjike më të ndërkombëtarizuar quhet ‘outsourcing’ .
Pjesëtarët e komunitetit të të rinjve që merren me teknologji kryesisht pajtohen që baza arsimore përmes fakulteteve që ofrojnë studime për profesione që lidhen me teknologjinë informative nuk është e lartësisë së duhur në aspektin e kualitetit.
Degët e këtij grupi të Universitetit të Prishtinës nuk kanë arritur të përshtasin kurrikulat e tyre me metodat e punës që tashmë kërkohen në treg, duke nënvizuar kështu një shembull të pastër të paaftësisë së institucioneve arsimore dhe duke theksuar mungesën e lidhshmërisë mes aftësimit profesional dhe kërkesave të tregut.
Greta Eshrefi përfituese e projektit “Techstitution” që punon në këtë sektor thotë që ndikimi i internetit e ka rritur rolin e sektorit të IT-së në Kosovë. Kosova vazhdon të renditet lartë në listat e shteteve me numrin e njerëzve që përdorin dhe kanë qasje në internet, krahasuar me shtetet e rajonit dhe disa shtete të Europës.
“Fakulteti në të cilin studioj- Fakulteti i Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike ka nevojë që rrënjësisht të ndryshojnë sistemin dhe kurrikulën e edukimit”, thotë Eshrefi, e cila vë në pah mangësitë e sistemit të edukimit të IT-së në Kosovë me kërkesat e punës, duke shtuar që institucionet për një kohë të gjatë kanë dëshmuar që nuk kanë gatishmëri për të përkrahur sektorin më konkretisht, ndërkohë që e kanë përdorur gjerësisht në fushatat politike.
“Edhe mungesa e profesionalizmit dhe përvojës teknologjike nga ana e profesorëve përbën një problem në vete”.
“Programet e tilla universitare kërkojnë përgatitje profesionale graduale me përdorim sa më të madh të teknologjisë, duke eliminuar rrjedhimisht kështu edhe mësimin e tepërt teorik, në mënyrë që ky edhe mësimi të jetë atraktiv dhe në një hap me Universitetet e tjera në botë”, thotë Eshrefi.
Narent Ismaili, një tjetër përfitues i projektit “Techstitution” dhe profesionist i kësaj fushe në Kosovë, thotë që institucionet duhet të bëjnë më tepër për të rritur përkrahjen për këtë sektor, ndërkohë që në aspektin arsimor, ai mendon që shkollat duhet të përfshijnë elemente të mësimit të teknologjisë informative edhe në nivelet më të ulëta të shkollimit, jo vetëm në fakultete.
“Problemi është te shkollimet paraprake, jo tek fakultetet, ngase ka student/e që fillojnë te studiojnë në fushën e TIK mirëpo, dije elementare në shkollimin paraprak nuk kanë”, thotë Ismaili.
“Krejt kjo si pasojë e mungesës së mësimit bazik në lidhje me këtë fushë”.
Ky artikull u publikua në kuadër të projektit Techstitution 3.0
*Techstitution 3.0 është projekt i financuar nga Programi UNICEF për Kosovë dhe Agjencia Austriake për Zhvillim dhe u zbatua nga Open Data Kosovo.