Transparenca institucionale e Zyres së Kryeministrit

Open Data Kosovo
4 min readApr 24, 2023

Nga: Shqipe Gjocaj

Zyra e Kryeministrit duhet të jetë institucioni më i hapur dhe më transparent për publikun. Me pushtet ekzekutiv, ky institucion duhet të jap llogari duke ofruar informacion që është lehtë i qasshëm dhe i përdorshëm për publikun, për media, shoqëri civile, biznese dhe akterë të tjerë.

Për më shumë, Kryeministria duhet të shërbej edhe si shembull për ministritë e linjës dhe institucione të tjera jo vetëm me informacion të hapur por edhe duke ofruar mjete të përshtatshme për pjesëmarrje qytetare në procese të vendimmarrjes. Por, gjendja për momentin qëndron ndryshe.

Në analizën periodike për punën e hapur të institucioneve, Open Data Kosovo (ODK) e vlerëson Zyrën e Kryeministrit të Republikës së Kosovës me rezultat të përgjithshëm prej 69%. Rezultat të ngjashëm, Zyra e Kryeministrit ka treguar edhe në vitet e kaluara, me përmirësim modest ndër vite. Përderisa në vitin 2018, vlerësimin i përgithshëm për Kryeministrinë ka qenë 53%, progres është arritur në 2019 me 63%. Rezultat i ngjashëm i përgjithshëm prej 62% ishte arritur në 2020.

Analiza në fjalë paraqet rezultatet e Indeksit Rajonal të Qeverisjes së Hapur dhe merr për bazë katër parimet e Indeksit Rajonal të Qeverisjes së Hapur si transparenca, qasja, integriteti dhe ndërgjegjësimi. Për të ardhur në përfundimet respektive, ODK fillimisht ka vlerësuar se sa e lehtë ka qenë qasja në informacion në uebfaqen zyrtare të Zyrës së Kryeministrit.

Aty kuptohet se Zyra e Kryeministrit qëndron mirë në aspektin e transparencës organizative. Kjo do të thotë që uebfaqja zakonisht ka të publikuara (në dy gjuhë zyrtare) lajme nga mbledhjet e qeverisë, përfshi dokumente zyrtare, raporte, strategji, plane vjetore të punës dhe vendimet e fundit.

Por, Zyra e Kryeministrit ka mangësi në transparencë institucionale. Në uebfaqe nuk ka informacion lidhur me përfaqësuesin për qasje në dokumente publike. Nuk ka të dhëna rreth transparencës buxhetore, kontratave dhe raporteve buxhetore e as rreth shpenzimeve publike, të shërbimeve dhe të menaxhimit.

Mungesa e transparencës institucionale dëshmohet edhe në proceset e prokurimit publik. Mungojnë informatat rreth kërkesave të hapura për prokurim, vendimet dhe kontratat e prokurimit dhe informacione të tjera. Lista e zezë e bizneseve, pra bizneset që janë shpallur fajtorë për ryshfet në procedurat e prokurimit dhe që rrjedhimisht do të duhej tu ndalohej ofertimi për kontratat e ardhshme, nuk ofrohet. Këtu informata mungojnë edhe në e-prokurim apo në platformën e kompjuterizuar të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik.

Zyra për Qeverisje të Mirë ka krijuar platformën e Konsultimeve Publike ku të gjitha dokumentet e nevojshme për konsultim publikohen online nga ministritë për çështjet përkatëse. Po ashtu, publikohen edhe raportet mbi konsultimet. Por nuk dihet nëse ekziston ndonjë procedure që ua mundëson qytetarëve apo palëve të interesuara t’i kundërshtojnë vendimet e marra.

Pra, “Ku me u anku?” mbetet pyetje sepse Zyra e Kryeministrit ende nuk ka krijuar një formular të anekesave në uebfaqe. Informata mbi kronologjinë, shërbyesit përkatës civilë dhe institucionet që merren drejtpërdrejt me ankesat/kërkesat e caktuara janë të domosdoshme nëse qeverisë me të vërtetë i intereson zëri qytetar. Prandaj, themelimi i një mekanizmi të përshtatshëm përmes të cilit qytetaret/ët mund t’i sfidojnë vendimet që merren është i domosdoshëm.

Falë Agjencisë për Administrimin e Shërbyesve Civilë që obligon deputetët të deklarojnë pasurinë e tyre përmes kartelave të aseteve në përputhje me kodin në fjalë, Zyra e Kryeministrit qëndron mirë në aspekt të menaxhimit të konfliktit të interesit dhe deklarimit të pasurisë.

Por cka duhet të sigurohet tutje janë masat proaktive të raportimit mbi etikën, duke përfshirë kështu protokollet për sjelljet e përshtatshme dhe të gabuara për shumë grupe të ndryshme duke u nisur nga Kryeministri dhe Ministrat e Kabinetit, deri te stafi politik dhe shërbyesit publikë.

Atë mund ta bëjë duke filluar nga ofrimi i informacionit rreth personelit, emrat, pagat, prapavijën profesionale dhe pozitën e tyre në institucion. Kush janë njerëzit në institucion mund të konsiderohet edhe si një ndër hapat bazë për ndërtimin e besimit në mes të qeverisë dhe qytetarëve.

Në mënyrë që gratë e burrat, studentët, shoqëria civile e mediet të jenë në rrjedha me detajet që ndodhin në procese të vendimmarrjes, Kryeministria duhet të publikoj në uebfaqe mbledhjet e qeverisë, qoftë në audio apo video që të mundësohet një mirë-informim dhe llogaridhënie nga ekzekutivi i vendit.

Llogaridhënia qeveritare pa prokurim publik transparent nuk ka kuptim. Qeveria duhet të publikoj planet, thirrjet, vendimet, kontratat dhe shtojcat lidhur me prokurimin publik në mënyrë që shpenzimet e parasë publike të jenë të qasshme për publikun. E besimi në qeveri përforcohet tutje nëse qeveria krijon dhe publikon Buxhetin e Qytetarëve.

Në epokën digjitale, informacioni në uebfaqe reflekton punën e brendshme organizative, parimore, dhe llogaridhënëse. Prandaj, më e pakta që Kryeministria mund të bëjë për të qenë institucion kredibil dhe me integritet është të plotësoj, përditësoj, dhe pasuroj me informacion uebfaqen zyrtare. Informacion ky që në një demokraci paralementare u garantohet qytetarëve që ata/ato të mund të ushtrojnë të drejtën për të ekzaminuar procesin e vendimmarrjes dhe të kërkojnë llogari nga lidershipi.

Zyra e Kryeministrit ka potencial të dukshëm për të qenë më e hapur me publikun e gjerë. Kryeministri i vendit është aktiv me përditësimet në profilin e tij në rrjete sociale me lajmet e fundit, transparenca organizative është e kënaqshme, ka infrastrukturë të mirë për lirinë e informacionit, ka Rregulloren për Kodin e Mirësjelljes në Shërbimin Civil që detyron deputetët të deklarojnë pasurinë, etj.

Duke i adresuar çështjet qenësore të përmendura më lartë, Kryeministria mund ta arrij jo vetëm të ndërtoj një urë besimi me qytetarë/e, shoqëri civile, media e palë të tjera, po edhe të jetë shembull i qeverisjes së hapur për institucionet e tjera në vend.

--

--